Këndon kryesisht: Popullore E Shqiperisë Së Veriut

Dava Gjergji është një këngëtare shumë e njohur. Një formë të veçantë dhe shumë origjinale të këndimit epiko-heroik parqet edhe kënga e këngëtares së mirënjohur shqiptare, Dava Gjergji.
Kjo këngëtare e veriut të Shqipërisë ka kultivuar një përmbajtje të tipike të këndimit heroik, burrëror, karakteristikë e rapsodive të pasura të veriut të Shqipërisë etnike, që shtrihet nga Mirëdita, në Malësinë e Madhe, në Krajë e Shestan, në Plavë e Guci dhe që arrin në viset më të thella veriore të Kosovës.
Për dallim nga Shkurte Fejza, e cila e kursen këngën nga timbri i fuqishëm burrëror, apo nga Fitnete Rexha, e cila e bën tepër të ndjeshëm përkushtimin femëror të këngës, Dava Gjergji e fuqizon timbrin burrëror, për të nxjerrë në sipërfaqe stilin autentik të këndimit. Me subtilitetin e zërit melodik, ajo e pushton në tërësi mënyrën e këndimit epiko- heroik.
Zëri i saj i çiltër dhe shqiptimi i pastër i tingujve e rrokjeve shpërthejnë natyrshëm ashtu si ujëvare që del nga burimi, për më tepër zëri i saj buçitës përmblidhet si krismë e thekshme e pushkës, në përpjekje për të shpërthyer si këngë-revoltë gjithëpopullore, e cila vazhdimisht ka shpërthyer gjatë shekujve të gjatë të robërisë.
Këndimi i Dava Gjergjit të sjellë në kujtesë përfytyrimin mbi gjenin burrëror dhe heroik të femrës shqiptare, që nga Teuta e Daorta, Vojsa e Donika Kastrioti e deri te Nora e Kelmendit e Shote Galica.
Paraqitja e saj para publikut është më se dinjitoze.
Veshja karakteristike kombëtare, të cilën ajo nuk e tradhtoi për asnjë moment, prezantimi serioz në skenë, zëri pushkë dhe krejtësisht i shpengueshëm, (i ngjashëm me përfytyrimin poetik popullor për Shtojzavallet e legjendave shqiptare), përbëjnë një tërësi magjepse të këndimit autentik, që buron nga e kaluara e largët, e cila ka mbijetuar nga shekulli në shekull dhe në një trajtë autentike ka arritur deri në ditët tona, falë përkushtimit që kanë treguar këngëtarët e njohur shqiptarë në të gjitha epokat e historisë sonë tragjike por edhe heroike.
Dava Gjergji ka kënduar edhe një dyzinë këngësh për dëshmorët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këngë të cilat admirohen nga dëgjuesit e shumtë të kësaj pjese të atdheut.
Qasja e kësaj këngëtareje ndaj këngës është shumë serioze dhe tejet e përkushtuar. E rritur dhe e edukuar në një rreth familjar dhe shoqëror ku janë ruajtur me fanatizëm vlerat e mirëfillta kombëtare, ajo mbase e trashëgoi, por edhe i dha fuqi dhe e përparoi jehonën më të çiltër të këngës heroike shqiptare, të asaj kënge e cila e kishte mbajtur gjallë kujtesën kombëtare, kishte frymëzuar brezat për qëndresë dhe ruajtje të dinjitetit dhe integritetit shpirtëror e kombëtar.